Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Shyhrete Kurti-Musa

Page Visitors:

N/A
Cicërimat e shpirtit
Zogu që këndoi sot,
kaq ëmbël në dritaren time,
kohën tënde zgjoi në mua,
më trazoi, më zhyti në kujtime.
Cicërueshëm më vjen brenda,
verbër – thua më s`të ndjej?
Baladat e fjetura prej një kohe,
rreth meje tash po kërcejnë.
Era fryn nga veriu,
me flokët luan, si me një gjethe vjeshte,
m’u zgjua malli i fjetur trungut,
mbuluar nga thinjat e degëve.
M’u ndërmend si troshë,
rrëshqitur nga buza dikur,
a thua – verbër s`të shoh
e verbër s`të ndiej?!
Ti ndoshta nuk do të përgjigjesh,
por cicërimat e shpirtit më flasin nga thellë!
Burrë e grua
Burrë;
duhemi me një shikim,
me tjetrin
grindemi syve…
Rrëmbehemi si dy adoleshentë,
puthemi, mërzitemi e duhemi sërish,
armiq të shtirur ndonjëherë,
i ngrysim vetullat si hënë e brishtë.
Pastaj,
sa njëri fillon të flasë,
tjetrit buza i qesh në gaz…
Kur errësira mbulon tokën,
e perdet e rënda varen dritareve,
natën llastojmë unë e ti,
kufijtë e mbyllur hapen…
Lakmitar gjumi si ne,
por më të etur ne të dy,
në përqafim i lidhim zemrat,
si fjongot dikur, fëmijë.
Fjalët s’na duhen nën dritë të hënës,
sy e heshtje flasin për ne,
burrë e grua grinden e duhen,
dashuria në mes i zë!
Sytë e palloit
    -fluturës-
Mbi krahë të fluturës,
t`kam shkruar letër;
kam lënë pak fjalë,
mos të peshojnë rëndë.
Nuk di, a e ke marrë?
Mos rrezja e diellit,
krahët ia ka tharë
e letra ime
në hi ka përfunduar?
Ka ditë që pres,
e bredh lugjeve me lule,
pres syrin e palloit
t`më vijë si përrallë,
Nuk di, a mos ndërroi jetë,
apo ke frikë t`ma thuash atë fjalë?
Unë pres letrën tënde,
shpresa më mban gjallë,
në sytë e palloit,
shkruami dy fjalë…!
Bluja e tymit të cigares
E bukur, truphollë,
e bardhë, me të zeza veshur,
vejushë,
që kërkon dashuri.
Ngjitesh në buzë,
s’më hiqesh qafe,
më hyn në mushkëri,
si t’ia bëj pa ty?
Fjollë blu besnike,
mike,
ringjallesh nga hiri,
nga zjarri,
e prapë kthehesh në hi,
pranë njeriut,
në hall,
në dashuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles