Number of visitors on page:

N/A

Tri poezi nga Çun Lajçi

Page Visitors:

N/A

Unë, krejt si baba

Po
Jam ba i mirë si baba
Me shtagë n’dorë e rrudha n’ftyrë
Mustakbardhë e plisbardhë
Pa flokë pa dhambë
Po e ha bukën t’zbutune n’ujë
Badihava djalit po ia shajë nanën
Po rrejë
Po
Krejt si baba jam ba
Duhan s’po pi e kam nisë me harrua
Gjumi po me merr lahutës tue i ra
Po më ngatërrohet kanga
Po nisem për Klladushë të Bylykbashi
E nana po m’përzihet me Ajkunën
Po m’del n’Martinaj allafranga
Baba tue pi kafe të Ali Pasha n’Saraje
Kur po zbres Çakorrit me ra n’Drelaj
Kali po m’rrëzon e po m’këputet kanga
Prej inatit po ia shajë lahutës
T’amën e samës
Po
Tash po e di
Sa i mirë paska qenë baba

Kurrizi i Dardanisë, 15.04.2020

 

Ta dua Malsi durimin e gurit

(Tuzit n’ditët e karantinës)

Luftat s’të ngujuen rrugët të çeluna i kishe
Sot mbete vetëm si qyqe
Unë Kosova, e Isa Begut, të dua për pushkën ndër breza
Për lahutën, kangën maje krahut, faculetën e kuqe
N’tepën e kresë
Ta dua besën, burrninë, rrajën n’shkamb, ujin e kulluem n’currila
Unë Kosova e Ademit, ta dua Marashin e Dedën, Çunin e flamurin n’Deçiq,
Tash e njiqind vjet
Ta dua Martinin e fyellin e tij ndër male, Gjeloshin me ngjyrat ma t’bukura t’atdheut
Blegërimat t’i dua livadheve t’Traboinit t’Kojës
E kangën e vajzave n’xhubleta
Unë Kosova e Ibrahimit, ta dua fjalën e kullueme n’gurët e Cemit
Komunën n’rapshën e Tuzit që m’flet shqip
T’i dua pleqtë që i djegë malli për t’bijtë dikund Michigamit
E malësorët e ri që lindin n’Detroit t’përvëluem për gjyshat e vet
Malsi e bukur e Tuzit
Jam Kosova që ta di dhimbjën, përkundër dhimbjës time
E nuk di si me të ndihmua
Se vetit qarën s’po muj me ia ba me smundjën
Por ty, s’të kam harrua, e vetminë s’ta duroj, as zinë s’ta dua
Ke mbetë e ngujueme, n’lëvozhgën e gurit, e turri t’asht këputë
E dorën spo muj me ta dhanë
Shqipnia me hallet e veta sikur t’ka harrua
E për Ty e për mua asht nanë
Mbahu Malsi, se ke djemë e vajza e vllazën
Ruzhdi Gjokaj Peti Camaj, Zef Lulgjuraj, Çuni yt këndej
Vetëm s’t’lamë, as n’deka as n’dasma as n’mortajë Covidash
Duro se vjen gushti ik smundja e kthehen djemtë
N’ty prap jeta lulëzon
Ta dua Malsi durimin e gurit!

Dardani, 15.04.2020

 

Krahve t’mallit

Dje dola n’Rugovë
m’u duk se dola n’Shkodër
bjeshkët e zbardhueme me borë
m’kujtuen Shalën
Thethin kodër m’kodër

Fishkëllimë çetinash m’kthyen n’shpellë
të plaku me kambët e ngrime
ai po vinte Sulbicës me lahutë n’dorë
n’Rugovën e djegun t’përtrime

Dje dola n’Rugovë
i gëzuem sikur t’isha n’Shkodër
mixhën Sadik e pashë n’bjeshkë t’Malsorit
tue bajtë vllaun e vet tim et n’shpinë
me kambët e ngrime

Jo s’isha n’Rugovë vetëm isha n’Shkodër
malli për babën atje m’kishte çua
trupin lanë ma kishte n’kodër
m’u kalbë tue pushua

Dardani, 08.04.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles