Number of visitors on page:

N/A

Botohet në Shqip Antologjia e poezisë Ukrainase, "Klarinetë diellore", përkthyer nga Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

Nga Parathënia
“Klarinetë diellore” –
Një shfaqje poetike e veçantë e poezisë ukrainase 

Nga Prof. Jeton Kelmendi, PhD

Antologjia poetike “Klarinetë diellore”, është një përzgjedhje dhe përkthim, i poetëve modernë të shtetit të Ukrainës në gjuhën frënge nga profesori dhe shkrimtari i njohur ukrainas Dmtro Chystiak. Libri, fillimisht është botuar në Francë, ku konsiderohet se është ndër antologjitë më reprezentative të letërsisë ukrainase në frëngjisht, ndërsa përkthimi në Gjuhën Shqipe, ishte natyrisht shumë më i lehtë, ngase përzgjedhja ishte e gatshme. Kjo antologji poetike, na prezanton një pasqyrë të jashtëzakonshme të poezisë moderne ukrainase. Ky veprim letrar shpalos talentin dhe pasionin e autorëve ukrainas, duke sjellë një koleksion të veçantë të poezive që mbartin një frymë të re dhe të freskët në aspektin e realizimit artistik. Përmes “Klarinetës diellore”, ky libër na çon në një udhëtim magjik në botën e poezisë ukrainase, duke na treguar përsosmërisht bukurinë dhe kompleksitetin e kësaj letërsie. Përkthimi i kësaj antologjie na ofron mundësinë të njohim dhe të vlerësojmë krijimtarinë e shkrimtarëve ukrainas, ndërkohë që na sjell afër emocioneve dhe mendimeve të tyre të rrënjosura në kulturën e tyre. Kjo përzgjedhje fillon me poetin kombëtar ukrainas Taras Chevtchenko, i cili është i njohur edhe në shkallë ndërkolmbëtare dhe vazhdon me shumë poetë të rëndësishëm jo vetëm për letërsinë dhe kulturën ukrainase, por edhe për kombin ukrainas dhe politikën e tyre nacionale. Gjatë leximit, poezitë japin tinguj të fuqishëm, përdorin imazhe të bukura dhe tërheqëse, dhe sjellin përpara lexuesve emocione të fuqishme dhe reflektime të thella. Poezitë në këtë antologji shfaqin një gamë të gjerë të temave dhe ndjeshmërive, duke përfshirë dashurinë, melankolinë, natyrën dhe reflektimin filozofik. Krijuesit ukrainas arrijnë të përdorin fjalët me mjeshtëri për të krijuar atmosfera të ndryshme dhe për të treguar historitë e tyre me një sens të veçantë të thellësisë. Natyrisht se poezia në Ukrainë, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, ka kaluar nëpër faza të ndryshme, prej diktaturës dhe diktatit nga politika dhe pushteti, deri tek lirizmi dhe poezia patriotike që shkruhet sot, në kohën kur vendi po lufton për çlirim nga Rusia.  Përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj antologjie është shumë i vlefshëm, pasi na mundëson të shijojmë dhe të kuptojmë poezinë ukrainase në mënyrë të plotë. Përkthimi është sfidë që gjithmonë vazhdon të jetë prezent, por konsideroj se ka arritur të ruajë ndjenjën, ritmin dhe bukurinë e poezisë origjinale, duke u përpjekur të rregullojë fjalët dhe strukturën në mënyrë që të transmetojë në mënyrë sa më të mirë përmbajtjen dhe mesazhin e shprehur në vargjet poetike. Sido qe të jetë, duhet pranuar sfidat se përkthimi është nga një përkthim tjetër, por edhe varianti  frëngjisht konsideroj se ishte i mirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles