Number of visitors on page:

N/A

Destinacioni i Fernando Rendón botohet ne Shqip

Page Visitors:

N/A

KUR POETI E LEXON UNIVERSIN Dr.Bujar Tafa
Kur i lexon poezitë e Fernando Rendonit, fillimisht, ajo që kupton së pari, është se këto poezi sikur të lejnë përshtypjen se qëndrojnë përtej teorizimeve, apriori. Këto poezi kanë tendencë dhe, po ashtu, kanë efektin e arritjes së asaj çfarë është e përgjithshme, universale, edhe në kuptimin kohor edhe në kuptim gjeografik. Poezitë e Fernando Rendonit të rrëmbejnë dhe të përplasin brigjeve të panjohura më parë, të shëtisin tokave të pashkelura më parë, veçse, kuptohet, të paramenduara si një dezhavu, imazhe këto që edhe mund t’i paramendosh, por që nuk arrin ta kënaqesh veten estetikisht pa i lexuar dhe përjetuar ato tablo poetike të cilat me aq mjeshtri e delikatesë na i ofron Fernando Rendon.
Pra, të duket sikur nuk ka terminologji adekuate që të operosh me atë lëndë poetike, apo është vështirë të gjendet ajo terminologji, për t’i konceptuar të gjitha ato efekte poetike të këtij poeti, kuptohet me inovacionin që ai na sjellë. Ndoshta, kjo poezi do të kishte bashkëjetuar dhe komunikuar mirë me pjesë të prozave marramendëse të Gogolit, të Mihail Bulgakovit, e me autorë të tjerë të këtij kalibri të cilët si substrat mund ta kenë Gëten me Faustin gjenial.
Rendon shëtit në hapësirë e kohë, komunikon me atë që ne e njohim si prezencë materiale, por edhe me atë që ne mund ta njohim si prezencë shpirtërore në qenësinë tonë.  Nuk them se Fernando Rendon i rrafshon gjërat në kuptim të asimilimit, çfarëdo qoftë ai asimilim. Më ndryshe se kjo, Rendoni ekzistenciales i jep ngjyrë estetike, i jep shije estetike dhe në këtë drejtim lexuesi njihet mjaftueshëm dhe për bukuri me sfera të ndryshme të qenësisë njerëzore.
Imagjinata e Rendonit merr përmasa kozmogonike e kozmologjike. Në këtë rrafsh, kjo poezi komunikon me bota të largëta nga mitologjia, arkeologjia, realja e deri te astronomia, e përtej besimeve, dhe tërë këtë komunikim ai e bën përtej konvencave, përtej modeleve paraprake. Këtë strukturë të çakërdisur poeti e bën një, e unifikon, pikërisht përmes rrëfimit të tij të mrekullueshëm poetik. Libri i Rendonit në shqip fillon me një poezi “Dëshirë” që do të mund të lexohej edhe si program, traktat poetik e konceptual i poetit. Është një udhërrëfyes për t’i shkërmoqur kufijtë, për t’i larguar barrierat, për t’i krijuar një liri të pakufishme mendjes dhe përjetimit njerëzor. Dhe këtë poeti e shpreh fare qartë, por me një figuracion të theksuar, e me një gjuhë poetike që në vazhdimësi të befason; Nëse ne mund ta njihnim njëri- tjetrin, nëse nuk e lidhnim veten me atë që na lidh, nëse menaxhohemi.
Pra poeti i jep kahje të fuqishme lirisë se mendimit, i vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë ai mund të na thotë gjëra që nuk i kemi dëgjuar e as lexuar më parë. Paraprakisht, Rendon e huazon një thënie që i shërben si pikënisje për ta shtruar rrëfimin e tij, në dukje të parë,drejt një rruge të caktuar; “Kundër vdekjes, bashkoju lumturisë!“
(Porfirio Barbajacob)

Për t’i konceptuar sa më mirë motivet autori zakonisht i gjen ato motive që janë të përbashkëta për ekzistencën tonë, sepse mendon se përmes këtyre motiveve ai e gjen më mirë rrugën që komunikimi i tij të jetë më gjithëpërfshirës. Ajri që është i përbashkët për të gjithë, bëhet mbulesë prej nga poeti orientohet dhe shpërfaqë idetë e ndjesitë e veta;
Ajër… Ajër që viziton këdo në çdo kohë Ajri që vjen sot dhe nuk kthehet nesër
që vjen i panjohur
Autori i kap momentet jetësore me konceptim marramendës, në raste të caktuara ai niset edhe nga një detaj i thjeshtë për ta zhvilluar rrëfimin poetik me një imagjinatë jo vetëm befasuese por edhe fantastike, duke i dhënë poezisë konotacione të fuqishme filozofike e universale.
Është një varg emblematik; Poetët janë thjesht lexues të universit te poezia “Rreth shkrimit”, varg i cili shumë hamendësimeve ju jep përgjigje. Si të thuhet ndryshe më bukur kjo, pra poetet janë lexues të gjithçkajes materiale dhe jo materiale që ekziston në univers. Është pastaj mjeshtëria e poetit ajo që e poetizon ekzistencialen në të gjitha përmbajtjet e mundshme.
Përgjithësisht, poezia e këtij autori na tregon se sa e madhe, sa e larmishme e sa e mistershme është bota. Sa të pafundme janë kujtimet, sa e gjerë është imagjinata dhe në fund, sa e bukur është e tëra kjo kur shkruhet në poezi.
Poezia e Rendonit është poezi gjithëpërfshirëse, enciklopedike e cila i tejkalon të gjitha kufijtë hapësinor e kohor, është poezi shumë e gjerë. Kjo poezi duket se i jep gjuhë edhe asaj që është e mistershme. Është poeti që

prishë kufijtë në mes jetës e vdekjes, në mes reales dhe imagjinares, në mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, për të arritur deri te ajo që është dhe që mbetet e mistershme. Është për çdo admirim puna e përkthyesit Jeton Kelmendi, i cili me një përkthim të jashtëzakonshëm arriti që poezinë e Rendonit ta përkthej në gjuhën shqipe. Nuk do të ishte ndryshe, nuk do të vlerësohej ndryshe poezia e Fernando Rendonit pa këtë përkthim të mrekullueshëm. Me këtë përkthim poezia shqipe pasurohet me një perlë të mrekullueshme të poezisë botërore, me një margaritar poetik mbarë njerëzor. Lexuesit shqiptar i ofrohet një dritare e re e poezisë botërore, po ashtu edhe një masë, stad, për ta parë kah po shkon poezia e re botërore, poezia e shkruar kohëve të fundit, dhe për fund, për ta parë se poezia e Rendonit është e të gjitha kohërave dhe e të gjitha hapësirave. Ashtu siç duhet të jetë arti. Është gjuha e poetit kur shkruan për universin.
(Fernando Rendon është poet kolumbian. Ai u lind në qytetin Medellin (Kolumbi), në vitin 1951. Është autor i shumë përmbledhjeve me poezi dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare. Poezitë e tij në shqip i përktheu Jeton Kelmendi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles