Number of visitors on page:

N/A

IWA Bogdani botón "Kronikë e padukshme" të Mirash Martinoviç

Page Visitors:

N/A

Doli nga shtypi libri me poezi “Kronikë e padukshme” e autorit të njohur nga Mali i Zi Mirash Martinoviç. Libri është përkthyer nga Smajl Smaka, ndërsa është botuar nga Edicioni Ndërkombëtar i Botimeve IWA BOGDANI. Kronikë e padukshme është një liber me poezi lirike, ku autori shkruan me kujdes për temat që flasim për lashtësinë. Jeta dhe fsidat me të cilat përballej Iliria dhe Ilirët është një nga temat, sikur edhe lashtësia dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me Duklijen, pra Malin e Zi. Edhe poezitë përkushtuese zënë vend në ketë liber, të cilin edicioni I botimeve IWA Bogdani e vlerëson shumë të realizuar artistikisht. me poshte parathenie

PALIMPSEST I ANTIKËS KUMBUESE

Kur e mbylla faqen e fundit të këtij libri, para syve më vezulloi një fragment nga epi babilonik – sumerian Epi i Gilgameshit në të cilin Eukid Gilgameshit nuk iu shfaq fshehtësia e jetës dhe e vdekjes sepse: nëse do ta zbuloja ligjin e tokës që kam parë, ti do ulesh dhe do qaje. Nga kjo bazë përmbledhja e këtyre vargjeve të fuqishme lirike, në rend të parë, të strukturave epike tematiko-motivore, zbulon enigmat e historisë antike në hapësirën e sodit të Malit të Zi dhe më gjerë, duke jehuar në zemrat tona më fuqishëm se çdo histori, të ringjallura nga ëndrrat dhe harresat e amshuar. Ky është një kurs letrar tani më i njohur i këtij autori edhe në romanet e mëparshme Rrugët e Prevalisit dhe Hapja e Agruviumit, kur, si në një kupë me verë helene, iu dhuroi lexuesve të kaluarën dhe arketipet iliro-romake, të Dioklesë dhe Zetës si dhe të kaluarën malazeze.

Katakombet e këtyre vargjeve, njëkohësisht të ngurosur dhe me përshkrime murale dhe, nga ana tjetër të revitalizuara, ruajnë shumë fshehtësi, erosin dhe tanatosin, hënorën dhe dielloren, të keqën dhe fatin, bujarinë dhe varfërinë, si dhe tragjizmin e fatit të civilizimeve të mëdha mesdhetare të mishëruar në vetëm disa momente jetësore të aktorëve të njohur apo anonimë të rrëfimeve. Nga arka e rrëfimeve versike të palosura në mënyrën më precize, më të guximshme dhe më të qarta, mund të nxjerrim ato shishet e vogla të mbushura me lotët e aristokrates, të pira më vonë në shenjë besnikërie, përmes këngës së poçarëve mund të njihet pavdekshmëria e poezisë, mund të mblidhen lule në të cilat janë derdhur shpirtrat e ilirëve pas shkatërrimit të shtetit të tyre, mund të lidhet guri me gur nëse ekziston shpirti…

Poezia këtu është i vetmi alef i historisë dhe mitit. Ai në të shumtën e poezive identifikohet, ngandonjëherë duke u përzier me djersën rituale pas hapjes së ndonjë sarkofagu të mbuluar me pluhur, ku, në mesin e pergamenave, me shumë siguri, mund të gjejmë edhe fletën e pagëzimin, fletën e kurorëzimit apo fletën e të vdekurve që tregon se konstantat kohore në këto vargje apo në psalmet e lashta nuk kanë ndonjë rol të rëndësishëm. Andaj edhe në yllësin e heshtjes së pakohë janë shkruar shumë himne të pazbuluara, të parandiera, të mohuara, të ëndërruara, me ankth dhe, mbi të gjitha, të demistifikuara, njëherë vetëm në dukje, në botën arkaike, pulsi i së cilës ashtu me një fisnikëri dhe në mënyrë ciklike, mban në lëvizje qenien tonë të harruar mesdhetare. Duket se nganjëherë ajo ekziston vetëm në frikën që mos ta harrojmë dhe prandaj ky dhe librat e ngjashëm paraqesin shok-terapinë e llojit të vet për t’u zgjuar nga vdekja klinike e një bote të errësuar përplot dallime. Simbolet e petrifikuara, ritualet dhe sendet e mbretërive, monumentet e mbuluara me lagështirë dhe mesazhet e nxjerra nga deti i gurëve dhe i rrënojave, janë element thelbësor i kësaj poetike aq të zhytur në arkivat mendore dhe lutjet e heshtura të mesdhetares origjinale, saqë nganjëherë e pyes veten, kam lexuar vallë sonte letrën epistolike të gurosur dhe të rënë nga ndonjë ndërtesë romake të fshehur në intimen e vet, madje edhe nga kujtesa, apo kam lexuar këtë libër. Rrënojat, të mbushura me shpirtrat e moçme edhe nga disa mijë vjet, vetëm njerëzve të veçantë dhe të zellshëm iu lejojnë të hyjnë brenda hapësirave të veta. Martinoviqi, sigurisht që është njëri nga ata, e kjo është edhe pasuria e tij.

Të hijezuara me dashuri, me ëndrra dhe nëma, këto vargje në formën meditative janë solemne dhe arrijnë gjer në hipoqendrat e kronikave, përmbajnë barazi stilistike dhe tension si shigjetat e luftëtarëve nga tragjeditë greke, ndërsa provokacionet hermeneutike të tyre shkojnë deri në atë masë saqë kronikat jugore të mesazheve dramatike, përnjëherë shndërrohen në një ballo erotike nën maska. Këto dhe fakte të tjera me gjithë zemër i kontribuojnë motos autentike mbi bashkimin e ndryshimeve të gjeopoetikës sonë mesdhetare dhe të arkeologjisë shpirtërore materiale me theks në tezën e Brodelit sipas së cilës historia do duhej të këndohej.

Duke shfletuar këtë palimpsest bashkëkohor të antikës së shkuar, do hasim në korin e muzave të thinjura nga leksikoni, nga ëndrrat apo nga përditshmëria, të njohura vetëm për autorin. Do të njihemi, gjithashtu, edhe me faktin se ndjenja e kujtesës nuk është vegim, sepse fjala nuk mund të vdesë në helmetën ilire për shkak të përjetësisë së historisë nga e cila nuk mund të dalim. Do mundemi (çfarë provokimi apo sqarimi) që bashkëshortes së vet apo dashnores t’i dhurojmë një unazë 3000 vjeçare të vjetër, të shohim rritjen e gurit, të mahnitemi me bukurinë e rrënojave në të cilat shpirtrat e atyre që u zhdukën fizikisht shndrisin edhe sot, të dëgjojmë kambanat në fundin e Liqenit të Shkodrës që nuk vdiqën asnjëherë dhe të gajasurit e rrënimit të faltoreve pa zota dhe me një monedhë me fytyrën e Klaudit, edhe pse mbreti kaherë nuk ekziston, të blihet pena me të cilën do shkruajmë vazhdimin e këtij libri, pothuaj asnjëherë të përfunduar. Nga ana tjetër hieroglifët e vargëzuara zbulojnë shpirtin dhe kulturën e popujve të vjetër të futur ndër zogj, epitafet e vjetra nga memoria e pavdekshme e gurit dhe matarugëve, pastaj profilin e mbretit Ilir të shumëzuar në 4600 monedha apo obelisku prej guri në rrënojat e Dioklesë me ndihmën e hijes së të cilit matej koha e që fillimisht do tregonte mundësinë por dhe mohimin e jetës së amshuar. Mirëpo, që në poezinë vijuese kushtuar fluturës në të cilën është vendosur shpirti i Homerit, autori në mënyrë suptile mishëron dogmën atipike duke besuar se gjersa jeton Iliajada, do të vazhdojë edhe Lufta e Trojës, andaj edhe barkat e luftëtarëve dhe të dashnorëve do lundrojnë gjer në mbarimin e botës. Dhe të kohës.

Qoftë të jenë mbretër apo lypës, luftëtarë apo poetë, të njohur a të panjohur, të ftuar dhe të paftuar, faktik apo fiktiv, të gjithë aktorët e ngjallur në këtë libër kanë një trajtim të ngjashëm nën metaforat kulmore të fisnikëruara me zhurmën e gjithanshme të legjendave, duke vërtetuar kështu proverbin e vjetër egjiptian – Thuaje emrin tim dhe unë do të ngjallem. Autori e shndërron historinë dhe të kaluarën, vektorët antropologjikë dhe dogmat teologjike, alegorinë dhe filologjinë e arke-botëve në rrëfimin e evokimeve fantastike, duke u vëllazëruar në këtë mënyrë me fusnotat e (kvazi)historisë së përtejme të ndjekur apo qëllimisht të harruar, gjersa ajo prapëseprapë është, gjithsesi, më e vërtetë se e vërteta!

Mirash Martinovic

Nuk mund dhe të mos e pyes veten, a thua Mirash Martinoviqi pas Kronikës së padukshme, kur të shikohet në sipërfaqen e pasqyrës malazeze, do ta shohë më figurën e tij. Si kolegë dhe mik i tij, i jap vetes liri të them se ai më parë do ta shohë veten në profilin e ndonjë liriku antik i cili, para mëngjesit, gjersa flemë, në tavolinën e mbrëmjes na ka lënë shkresën e vet në gjuhën latine apo greke, duke u kthyer në strehën e rrënojave të veta të shpirtëruara nga epidemia e botës së globalizuar.

Një procesion i tillë magjik i shpirtit, etikës dhe antikës nëpër kohën e pamëshirshme, është e mundur vetëm në poezi. Pa dilemë.

Boris Jovanoviq Kastel
Përktheu në shqip Qazim Muja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles