Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Engjëll I. BERISHA

Page Visitors:

N/A

TOKË E QIELL

1. Toka
Dita e re, drita e materia e trupit tim
tokë pluhur, hi, baltë e ujë
e nxori Imzoti prej kopshtit të mëkatit
njeriun me bririn e thyer
ku nisi udhë
kurrë pa u ndalur besimi e pabesia.

Pa fije frike lavdisë i nis gjykimi
jeta e vdekja shkëpusin paqen,
adhurimi e pikëllimin ndahen në mes.

Njeriut pip në këmbë i veshët petku i vuajtjes
dikush ia qepi më ngushtë se lëkurën
vetëm një fije e dallon prej krijesave të buta e të egra
e muros dhembjen dhe tërë jetën përulet para saj
për ta fshirë fajin e kafshimit të lakmisë.
.
Mësoje mjeshtërinë i tha zëri i fuqishëm
gërryeje tokën deri te varri
në gjunjë, zvarrë i shtrirë edhe pa asnjërën këmbë
me muranën e eshtrave rindërto vetveten
tokës i duhet kripa e jote.

Ati e dheu, në tokën e lume,
me farën e bimën e mirë
me shpendët, këmbësorët e rrëshqanorët
me trupin tonë bëhet pluhuri i pllehshëm
prej nga e rinxjerrim frytin e gojës
me ngjyrat e lëkurës bardhë zi e verdhë
e mbjellim kultin e njeriut mbi faqen e dheut.
.
2.
Dora e Imzotit nga Tempulli im
deri te kupola e Qiellit
sa herë e ka nisë Besëlidhjen e paqes
njeriu prodhojë helmin, bimën e së keqes
u rebelua në ironinë e mbretërisë së tokës
nga tirania e tij mbetën ta sundojnë njëri tjetrin
profecia e rrejshme në robëri të lakmisë.

Planetin tonë e freskon hëna ndritshëm
na gjen të zbuluar pa e parë veten
vetëm nata e lejon këtë melankoli
sapo t’ia prekim jetës thelbin e adhurimit
zhdukemi si hije e agimeve pa na zënë e nesërmja
emrin na e përpijnë dheu e flaka
dhe prapë bën dritë, nisë ditë e re
genus patriae me ne e pa ne
të përsëritshme vijnë stinë të reja.

Del dielli ngrohemi e digjemi si dru
të kalbur zhdukemi për të mos u parë më
ujë e zjarr rrëzëllejnë me trupin tokë
e tokën hi.

Diku shkruhet e kaluara e jonë
si kronikat me hieroglifë
fantazi e dashuri zgjasin sa dita e drita
e prodhojmë helmin e dashurisë e urrejtjes
aq sa na lejon nata.

Sa e gjatë përralla, dilema heliocentrike
e rrumbullakët toka, e sheshtë në Antarktidë
sa herë dridhesh e lëkundesh deri në maje bjeshke
herë i lutemi Zotit Krijues, e herë hamendemi
kush është në qendër? Toka apo Dielli.

2. Ajri

E zgjasë dorën në ajër ta prekë Kupën e Qiellit
forca e gravitetit më shtyn kah toka
si bimë e saj prej nga nuk mund ta nxjerrë
vetveten prej balte e prej frymës së Krijuesit
aty ku i bëj roje vetes prej trupave të zdritshëm
shikohemi e nuk i bëjmë dot ballë të ofrohemi.

Stuhi fjalësh e bukuri e vrazhdë, e çajnë ajrin
në mes tokës e qiellit kufiri i ndjenjave
në ç’erë e thithim jetën
edhe ashtu e ndotur
me substanca të përziera e dashuri të thyera
pa erë e pa shije pezull në hapësirë
me pjalmin e luleve shumojnë bimët e mira
materien e energjisë e të kohës

Prej mushkërisë të nxjerre të pastër
si vesën e mëngjesit të freskët e të bardhë
si aromën e detit të njomë e plot fosile
pse më vijnë grimca ozoni ma kafshojnë gushën
e prekur nga virusi i pjellë në laborator
copat e dheut thërrmijat e trupit tim
i çon peshë hëna kur e sfidon diellin.

Në pushtetin në mes Tokës e Qiellit
prej nga i ndanë hemisfera me trupa që ndriçojnë
jeta ime sa një thermi, insekt i padukshëm
vetëm pakë sekonda pa ty
më ndajnë nga vdekja.

Kur nuk ka ajër dheu të tretë pa fije mëshire
ajri të ngrohë, të mërdhinë, të ngopë
të mban në tokë, të ushqen të rritë
kush ia matë peshën më mirë se mushkëritë?

3. Uji

Jeta pikë nga qielli si uji i freskët natën
prej trupit të së ëmës del shpirti i ri
lind i etur esëll e pikon lëngshëm
ujë e rrjedhë prej burimit të frymëzimit
energjia e tokës e ngrohë
e pastron mëkatin e dashurisë
lindjet e etura nuk i fshehë as deti i trazuar.

Etja të kallë edhe kur bën akull
koha e gërryen tokën deri te zjarri
edhe kur të përvëlon uji
vargu im i etur përmallshëm
e lagë dashurinë.

Ajri: Kur hidhërohet e trazon detin.
Uji: Kur rebelohet e përmbytë tokën.
Toka: Kur etohet e thanë bimën jetën ajrin.

Uji, ajri, dielli, freskia
tokën trupin bimën e bën me jetë.

4. Flaka

Sytë e skuqur e nxjerrin zjarrin e shpirtit
kur ftohet zemra digjet shikimi në breg të diellit
perënditë e kallin mallin me flakën prej gjuhës
Neroni e dogji Romën për të qeshur edhe njëherë.

Rrufeja bëhet flakë e të godet
kur e ngrit kokën përtej të tjerëve
edhe shikimi të djegë ta kallë trurin
në ëndërr të merr zjarrmi e etjes
e të hyn flaka si në ankth dashurie
i skuqur të gjen mëngjesi
dëshirat e çmendura e nxijnë edhe tokën
si drurin e moçëm.

Përreth më vjen e bardhë
prej gjuhës del e skuqur
nëpër trup djersinë pika uji.

Flaka të ngrohë
flaka të djegë të shkrumbon
flaka të bën dritë si dita kur agon.

5. Shpirti

Prej trupit ndahesh rebel i pa dëgjueshëm
zemrës ia vë një gurë të fortë e të thepisur
fletëzat ia ndalë i ngjizë rruazat e kuqe
ia mbyllë të gjitha ato dashuri në heshtje
të ligën e të mirën e tretë në ajrin e ndotur
ikë krejt i lirë
pa të pa
vetëm një frymë
ofshamë e fundit
të bukurën edhe të shëmtuarën i lë pa asnjë fjalë.

Sado e njomë dora ime nuk të zë dot
nuk të mbërthen asnjë fuqi e trupit
nga hyn e del frymë me kaq peshë
shpirti i së vërtetës, shpirti i mirë.

Barinj, profetikë, të zgjuar e të çmendur
prej një frymë rrojnë me trupin e brishtë
një shikim kanë si në mëshirë kah qielli i kaltër
as hije as shenjë sa hapë e mbyll sytë
vetëm engjëjt mbesin.

Si në Olimp veset e fajet morale lahen me flakën
në rrathët e purgatorit ndeshen
pastrim mëkatesh
gjykimet e trishtimet gjithmonë kanë një rifillim
secilit në thellësi të syve i lexohet paudhësia.

Fjala dhe mendja e Krijuesit
njeriu, vullnesa e Zotit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles