Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Halili Matoshi

Page Visitors:

N/A

1. Poezia. Gegët

– Variant –

Me i qitë sytë mi kodër e me pâ
Nderliqjen shkak-pasojë

Me pâ mas bregu!
Me e nxjerr mendjen nalt mi fjal’t
Masanej me folë…

Fjalë që meritojnë vëmendje

Me ia hjek’ gzhojat gjuhës
Me e bâ strehë t’banueshme

Me ia çkoklue fjales myjen me nge si kokrrat e kallamoçit n’lamë
E me i kullue m’dritë synit…

Me pa a vrasin fjalët a dashuni kanë me diftue…

Qeshtu po get diqysh âsht
Poezia gegnisht e shkrueme…

21 janar, 2013

2. Çka bân ni nânë?

Krijon jetën.
Masanej bân gjithçka tjetër
Që ka aromë.

Nâna maron shkallë zemre deri n’hanë
Me hypë na thmia me pâ mbi dhé

Ni ditë na marojmë ni vorr
(që kurrë s’kishim guxue me e menue)
Me zbritë nâna nër dhé

frika se vdes nâna asht mizore për çdo fëmijë
dhe burra t’dheut
Të tanë rënkojnë Oh nânë…

Nâna, ajo na shfaqet n’andërr
përherë me t’bardha veshun.
dëfton zi!?

Marrim frymë lirisht mjeseve
Me frymën e nânës
Ose rënkojmë!???

4 prill, 2020

3. Jasharët. Krismat. Kujtesë.

(Simas tregimit të Blerim Gashanit*)

Se ke nata buçitën krismat
Qielli zbrazi krejt çerdhet e rrufeve mbi Ta
Shndriti Prekazi sa ke nata
E gzoheshim na thmia – se Ademi po e ndiqke kulçedren
E s’ka me e lanë me na i djeg andrrat…

E agu si t’binte me fjetë – krismat pushuen – habitshëm
ish msue Drenica me njato krisma
E boshllëk në zemër ndjenë kur u ndalën
Sa pati ushtimë e dijshin qe Ademi asht gjallë
Se Hamza po këndon sa pati buçimë

U ndalen krismat u hepuen zemrat
U çelën vorret…

Asht dashtë përjetësisht me u ndie njato krisma
Përjetësisht asht dasht me shndrit njay qiell

Zjarr i pashuem ndër breza ka me mbi
E jehue ka njajo kângë lirie
S’asht dasht me u ndal njato krisma deri në fund të kohës
Mos me na lanë me vdekë nga boshësia

——————————————————-

· Blerim Gashani: Nga nji shenim ne Facebook, me 5 mars, 2016

4. Dimën

(variant)

Era buçet si lokomativë me avull
Rrëmbyeshëm ta mbështjell trupin
Që dridhet.

E ka me t’shkue mendja n’fëmijni, ah
nâna t’ka marrë n’gji
E baba i ka fry zjérrmit

me t’shpërthye pranvera shkëndijshëm n’sy!

nër plafin kristaluer të borës bulon
jeta që n’ándërr ka ra
pa e ditun a ka me u zgjue mâ…

Nga furia e erës thikë…
Hapet dera si derr i therrun
E bân ngiiiccc…

Ngricë

5. Poezi & luftë

(Ditëlindja që duhej me u shënue më 26 shtator 1998, Kosovë)

Dita agoi në Drenicë me dritë purpuri mbështjellun me hungërimë tanksesh
e lehje të ndonji qeni t’harruem lidhun

Fusha makth
E fëmijë që panë frikë në sytë e të rritunve
Mali ankth

Jetonin e kishte zgju e âma me e lâ
e veshë me teshat ma t’bukura
për ditëlindjen e dhjetë.

Flakë ferri pa djali pak çaste
si fishekzjarre ditëlindje
pastaj terri i barbarisë rá

çdo gjâ pushoi… krismat, hungërimat
nâna u shtang n’bebzat e syve të djalit

* * *

Jeta rinisi mas lufte
njerëzit mbinë nga brinjët
Si mas apokalipsi

Duelen shpellash zgavrash grykash
Në ditën e gjashtë
kur bota duhej me u ribâ
djali ishte dhét vjeç
s’u rilind se dita e tij mungoi

Në ditëlindjen që nuk e jetoi
Jetoni
Botë e rilindun e paplotë gjymtue
Pa ditën e shtatë.

Halil Matoshi

Ka studiuar Filozofi-Sociologji në UP.
Me profesion është gazetar/opinionist.
Si pjestar i rezistencës në Kosovë, 1989-1999 pesë herë âsht arrestue e mbajt në burgjet e ish Jugosllavisë. Gjatë luftës së Kosovës, âsht marr peng dhe mbajtë rreth ni vjet në Kampet serbe të Përqëndrimit, në Lipjan (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).
Shkruen poezi, tregime dhe eseistikë.
Autor i librave “Frymë varresh në dallgore” (poezi), ‘bota e re” 1988; “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (libër mikst, poezi, tregime, skica letrare), 1994; “Lajmësi memec” (tregime) 1996; “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe” (ditar lufte dhe ese) 2000; “Hija e Krishtit” (poezi), 2004, “Katedralë letre: Qyteti i fundit dhe shtëpia, Saga për Prishtinën, njerëzit e saj dhe tregime tjera, 2011 (ese dhe portrete.)
“N’zanafillë”; poezi, 2013; “Pesë breza ushtarë Kosove” (monografi), 2014;
Poezi të tij janë botuar në gjermanisht (Graz e Leipzig), rumanisht (Bucurest), anglisht (Prishtinë), spanjisht (Meksiko City), greqisht (Athinë, 2010) dhe në gjuhën rome, Prizren 2013.
P.S.

H.Matoshi: Vizatim i Shani B. Pacarrizit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles