Number of visitors on page:

N/A

“Spiranca e natës” e poetit nga Tivari i Malit të Zi, Llabud N. Llonçar – nga Prend Buzhala

Page Visitors:

N/A

DASHURIA, SPIRANCË E JETËS SONË

Nëse asgjë tjetër nuk i afron kulturat dhe letrat e bukura të regjioneve të ndryshme gjuhësore, së paku këtë le ta bëjë tema e dashurisë! Kështu le ta kuptojmë vëllimin poetik “Spiranca e natës” e poetit nga Tivari i Malit të Zi, Llabud N. Llonçar, në përkthim të Smajl Smakës. I ndërgjegjshëm se kanë shumë gjurmë plagësh hapësirat ekzistenciale ndër ne, poeti do të këndojë:

Vragat e mia dhe tuaja
Bëhen spirancë nate
Dhe fjala shndërrohet në dashuri

Vargjet e mësipërme, kur i kontekstualizojmë përtej një situate të dashurisë, sjellin një tjetër energji të kësaj ndjeshmërie. Te e fundit, nuk ka hapësirë mbi rruzullin tonë që të mos i ketë ngritur elozhe asaj. Llonaçar na sjell këndej leksikun bregdetar të këndimit të dashurisë, me magjinë e të padukshmes të thellësive të detit, siç janë spiranca, deti, guaca, dallgët, vala, anija, etj. gjithsesi me ngarkesa figurative e kuptimore. Duke e emërtuar librin me poezinë e parë, spirancë nate, e lexojmë atë semantemë që na drejton kah një qëllim në jetë. A thua, nëse na mungon kjo spirancë (dashurie), kjo pikë jetësore referimi e dashurisë, kah do të na shpinte bredhja jonë e shkapërderdhur?  Anodea Judit,  një autore amerikane, do të thoshte: “Të humbasim lidhjen tonë me trupin do të thotë të bëhemi shpirtërisht të pastrehë. Pa spirancë ne notojmë pa qëllim, të goditur nga erërat dhe dallgët e jetës.”

Nëse leksema poetike  spirancë na i zgjon asociacionet e detit dhe anijes, atëherë nuk është e rastit përse autori përdor edhe fjalën shpresë si një spirancë të botës sonë të brendshme, të jetës sonë nëpër natë (“Në natën përmbushur me erë”), nata është shenjë poetike që sugjeron baticat e zbaticat e ekzistimit. E pra, poeti i ka kikat e tij ku të mbështetet dhe për të lëvizur i sigurt.

Dhe, kur e lexojmë një libër të tërë me lirika dashurie; e rikënduar në një tjetër regjion gjuhësor, lexuesi do ta perceptojë drejt se Eosi mbetet ajo perëndi që shquhet për shpirtin humanist mbi të gjitha hyjnitë tjera. Duke e frekuentuar poetikisht shpesh fjalën bark (barku i gruas etj.), folësi lirik sikur dëshiron të na thotë se aty është mitra dhe altari i krijimit, qendra e ndjesive tona.

Mirëpo, këto vargje na shqiptohen me frymën moderne të thënies lirike përtej një sentimentalizmi a mbufatjeje, siç na rastis të lexojmë shpesh e me bollëk tekste të tilla. Janë vargje që shqiptohen si thelb i çdo gjëje, “Atje ku çdo gjë fillon”;  si përsiatje situatash dashurore të fshehtësisë, vetmisë, heshtjes,  puthjes, mëkatit, pagjumësisë, dhembjes, largimit, shpresës e sidomos kujtimeve dhe ëndrrës. Të krijohet mbresa se folësi lirik këmbëngulshëm i kërkon ato situata ku ka shumë hapësirë e ku mbizotëron leksiku kozmologjik i erosit, me natë, yje, mëngjese, hënë, dritë, diell, ditë apo me det, ujëra dhe shi. Mirëpo, i kërkon aty ku ka shumë fshehtësi. “Përsosmëria e krijimtarisë artistike është të fshehë artin” e ka thënë këtë që moti Kuintiliani. Kurse poeti kërkon ta shihe buzëqeshjen e fshehur pas margaritarëve të natës (poezia “Fshihesh”), më tutje kërkon “misteret e fshehta”. A thua, me çdo kusht qenia e dashuruar kërkon të lëvizë pas një veli magjik? Dhe bukuria e fjalës gjendet pas kësaj magjepsjeje?

Fjalën e fshehë në ujin më të thellë
Në ujin pa dallgë
Që buzëqeshja mos ta lëvizë.

Makrokozmos e mikrokozmos bëhen një: folësi lirik është i shkrirë në hapësirat e pamatshme të dashurisë:

Mos e kërko kufirin e mendjes
Në nënkresën e djersitur
Derisa gjithësia ngeshëm
Rri në dritare
Në parzmën e natës
Rrah zemra e frikësuar derisa
Un mbledhë yjet e rëna
Tërë natën me shi dhe i vendos
Në sytë tu.

Të mos harrojmë: poeti ndien nevojë që gjithnjë të ligjërojë rishtas e rishtas për dashurinë, të ringjallet në këtë këndim, të mos reshtet asnjëherë së kënduari për këtë ndjesi. Ka një lidhje midis dashurisë, folësit lirik, dhimbjes dhe kujtesës (“Secili mëngjes imi është shfryrë se kënduari/Pavarësisht nga dhembja dhe kujtesa”).

Në fund, kur e lexojmë poezinë “Ai kaherë ecën”, do ta ndiejmë dhe përjetojmë si tonin atë ankorimin e spirancës së përjetësisë së dashurisë (“Zemra e tij banon në qiell”), zemër-shikim mbi realitetin e vetëdijes sonë, mbi acarimet e ndërgjegjes sonë apo mbi trazimet e ekzistencës sonë. Mandej poeti lundron nëpër stuhitë e dashurisë e të jetës ngadhënjimtar drejt portit të tij të dashurisë.

Prend BUZHALA, Dhjetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles