Tag: Poezi

Mantra – Jeton Kelmendi

Mantra

PARAFJALË

            Ky libër lindi nga një reflektim i thellë mbi qenien, kohën dhe ndjenjat që na udhëheqin. Poezitë që përmban libri nuk janë thjesht vargje të radhitura për të përshkruar botën, por janë pasqyrime të shpirtit, ndjesive dhe pyetjeve që mbeten përgjithmonë të hapura.

Me këtë libër, synoj të udhëtoj së bashku me lexuesin në botën e heshtjeve që flasin, të kohës që na shikon dhe të fjalëve që kanë peshë edhe kur nuk shqiptohen. Jeta, sipas meje, është një enigmë e pafundme, ku realiteti dhe iluzioni përzihen vazhdimisht, ku dashuria, mungesa dhe kujtimi marrin forma të ndryshme në varësi të këndvështrimit tonë.

Poezia në këtë vëllim trajton disa nga temat më universale dhe më të ndiera: misterin e ekzistencës, ngjyrat e ndryshme të dashurisë, kalimin e kohës dhe sfidat e shpirtit në përballje me të vërtetat e tij. Ato janë një ftesë për të medituar mbi domethënien e jetës, mbi thellësinë e ndjenjave dhe mbi lidhjet e padukshme që na mbajnë të bashkuar me gjithçka rreth nesh.

Një element i rëndësishëm i poezive që do të gjeni në këtë libër është edhe filozofia që ato mbartin. Shumë prej tyre janë përsiatje mbi natyrën e realitetit, mbi raportin mes fjalës dhe heshtjes, mes kujtesës dhe harresës, mes asaj që është dhe asaj që mund të kishte qenë. Nuk synoj të jap përfundime, por të hap dritare drejt mendimeve të reja.

Frymëzimi im buron nga vetë jeta, nga fragmentet e saj të çmuara, nga humbjet dhe gjetjet, nga hijet që na ndjekin dhe dritat që na udhëheqin. Poezia, për mua, nuk është vetëm një formë arti, por një mënyrë jetese, një rrugë drejt së panjohurës dhe një dialog i përjetshëm me shpirtin.

Kjo parafjalë nuk ka qëllim të shpjegojë poezitë që vijojnë, por të ftojë lexuesin që të futet në botën e tyre pa parashikime, pa pritur përgjigje të drejtpërdrejta, por duke u hapur ndaj ndjesive dhe interpretimeve që do të lindin natyrshëm.

Le të fillojë udhëtimi i fjalëve!     

                                                                                                  Autori

 

Me një stil të drejtpërdrejtë, por thellësisht lirik dhe reflektues, Kelmendi eksploron tema universale: luftën, paqen, identitetin, kujtesën dhe kompleksitetin e ekzistencës moderne, duke i ankoruar gjithmonë në gjeografinë e tij emocionale.
Prof. Gustavo Vega, Spanjë

 

Rruga e tij është një udhë kërkimi: kërkim i dashurisë, kërkim i balsamit që do të ndihmojë në shërimin e plagëve pa fshirë gjurmët e lëna në shpirt. Në këtë shëtitje na fton të depërtojmë heshtjen, ta pushtojmë atë, ta dëgjojmë, në mënyrë që të dëgjojmë zërin e tij që del nga heshtja gjatë shkrimit.

Gustavo Gac-Artigas, Kili

 

Ky libër i Jeton Kelmendit ka një intensitet shprehës, madje një forcë shprehëse të mrekullueshme.
Struktura e të gjithë udhëtimit është fuqimisht metafizike, e kalibruar mbi kontraste dhe ndriçime që hyjnë dhe dalin nga kuptimi, nga dyshime që, ndërsa zgjidhen, madje gjejnë siguri; brenda dimensionit të një arritjeje hipotetike që nuk ka mundësi të gjejë një piedestal, një mbërritje.

Dante Maffia, Itali

 

Në Mantra, librin e tij më të ri, lexuesi mund të shijojë një sagë të dyfishtë të eksplorimit të thelbit njerëzor: së vërtetës, bukurisë, dashurisë. Jam i nderuar të jem botuesi i tij në ShBA.

Stanley H. Barkan, ShBA

 

Poezia e Kelmendit në këtë libër është shumë emocionale dhe e thellë, me një kërkim pothuajse të pamundur të esencës së kohës, heshtjes, së vërtetës, jetës dhe rrugëve të saj. Ai luan me një dialektikë mes të kundërtave dhe nxitjeve psikologjike.

Prof. Emeritus. Ernesto Kahan, Izrael – Nobelist

Ajo që mund të them është se kjo poezi është e hapur, me një hapësirë të gjerë për reflektim. Ajo synon të shprehë si përvojën e tij nga fati turbulent i atdheut të tij, Kosovës, ashtu edhe reflektime universale njerëzore mbi jetën dhe vdekjen, dinjitetin njerëzor, dashurinë dhe urrejtjen.

Knut Ødegård, Norvegji

Tensioni mes dëshirave të brendshme dhe realitetit të jashtëm është një motiv qendror në krijimtarinë e Kelmendit.

Prof. Dr. Antoon Van den Braembussche, Belgjikë

 

Te Kelmendi, i ndjeshëm ndaj kalueshmërisë së fatit njerëzor në të gjitha dimensionet e tij ontologjike, biologjike, psikologjike apo historike, është e rëndësishme të vërehet se kënga e dashurisë strukturojnë si një shtyllë kurrizore gjithë në këngën poetike: ajo i drejtohet njëkohësisht gruas dhe atdheut.

Akademik Éric Brogniet, Belgjikë

 

NËSE ÇDO GJË KA EMËR, PSE MUNGESA KA VETËM NDJENJË? Jeton Kelmendi

NËSE ÇDO GJË KA EMËR,
PSE MUNGESA KA VETËM NDJENJË?

Në fillim njeriu u dha emër gjërave:
Tokës – për ta pushtuar,
Qiellit – për ta ëndërruar,
Ujit – për ta pirë,
Zjarrit – për t’u ngrohur.

Ujërat i ndamë në dete,
Dritën në agime e perëndime,
Edhe dashurinë e shndërruam në fjalë,
të thjeshtë si “të dua” e “më mungon”.

Por…
kur ikën dikush,
kur hesht diçka,
kur ndalet koha në një dhomë të zbrazët,
çfarë emri ka ajo ndjesi që mbetet?

Mungesa s’ka emër.
Vetëm ndjenjë.
Një zbrazëti që flet me gjuhën e trupit,
me një rrahje zemre më tepër
ose më pak.

Këto dukuri s’kanë trajtë:
Nuk janë tavolinë, as libër,
as hënë që mund ta quash “e plotë”.
Janë veç ndjenja
pa zë,
pa formë,
pa strehë.

Dhe unë,
në këtë përpjekje për të mos humbur,
kam ngritur një ushtri mendimesh:
një për çdo kujtim,
ca për çdo fjalë të pathënë,
një për çdo natë që më kthehet në pyetje.

Por edhe ato lodhen,
edhe ato më lënë vetëm,
përballë një mungese pa emër,
që më njeh më mirë se vetja ime.

Nëse çdo gjë ka emër,
atëherë pse mungesa
më thërret vetëm me ndjenjë?

Ndoshta sepse mungesa
është fjala që s’kemi arritur kurrë ta shpikim.
Sepse ajo nuk thuhet,
vetëm jetohet.

Salamina, Greqi me 2 nentor 2025

Poezi nga VITO DAVOLI

VITO DAVOLI

Nuk kam lexuar ende një libër të plotë të autorit Vito Davoli, por duhet të falenderojmë rrjetet sociale dhe kritikat e shumta të bërë nga autorë të njohur të letërsisë bashkëkohore, si nga vendi i lindjes, Italia, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Kritikat e Dante Maffia, Marina Caracciolo dhe Guido Oldani, mes të tjerëve, ndihmojnë shumë për të kuptuar thellësinë dhe veçantinë e poezisë së tij. Nuk dua të bëj një analizë të thelluar mbi krijimtarinë e tij në këtë moment, ndoshta do ta bëj më vonë kur të kem lexuar më shumë.

Deri tani, duke vëzhguar dhe lexuar me kujdes pesë poezitë e tij, të ndjera dhe të larmishme, dhe duke u marrë me përkthimin e tyre, arrita të njoh një shpirt që udhëton në thellësitë abissale të kohës që përjetojmë. Është një ndërthurje emocionesh të pastra dhe imazhesh të forta që mbeten gjatë në kujtesë.

“Madri”, NËNA ndjejmë një thirrje të brendshme, pothuaj ulërim, dhe një vetmi shpirtërore, ndërsa poeti kërkon një rrugë për të ndarë dyshimet dhe dëshirat e pa realizuara, duke klithur dhe akuzuar veten.

“Rosso”, e kuqja kap ndryshueshmërinë e kohës dhe bukurinë melankolike të ditëve, duke vizatuar dhe stampuar peizazhet ku kemi lindur dhe kerkuar Jugun e bukur dhe perëndimet që sjellin rilindje të reja, ashtu si i ëndërrojnë dhe shpresojnë poetët.

“Senza Fili”, gjuha e Davolit shpërfaq çmenduri dhe ekstaza, një përplasje mes dëshirës dhe humbjes. Ndërsa në “Osanna”, poeti ndez pasionin dhe zjarrin e një dëshire të pashuar, duke na zhytur në një peizazh shpirtëror të zjarrtë dhe kompleks.

“Ipotesi” mbyll ciklin me një reflektim të brendshëm, një ndjekje të pafundme të pranisë së të dashurit, mes vetmisë dhe vonesave të jetës.

Asgjë nuk na pengon në këtë jetë, por gjithmonë mbetet hapësirë për të dëshiruar.

Në këto poezi, Davoli shndërron gjendjet e brendshme në imazhe të gjalla dhe universale, duke krijuar një poezi që është njëkohësisht intime dhe e përgjithshme, ku çdo lexues mund të gjejë pasqyrën e vet.

Anila Dahriu

Rrallë gjendet një zë poetik gjithmonë i qetë dhe i vëmendshëm ndaj masës shprehëse, i aftë të mos tejkalojë kufijtë e një realiteti të jetuar dhe të përpunuar për të kapur thelbin e tij dhe për ta shndërruar në imazhe për t’u ruajtur. Pikërisht timbri, i thjeshtë dhe pa zbukurime, e bën të veçantë përmbledhjen e Vito Davolit: emocione të shprehura në poezi pa teprica, pa shtesa që do t’i lidhnin ato me një stinë dhe jo me detin e tërbuar të gjithësisë.
Dante Maffia

Këtu e atje duket të shfaqet, si në një cirk imagjinar dhe fantasmagorik, një kloun i çliruar dhe megjithatë melankolik, që fsheh lotët dhe hidhërimin e tij nën të qeshurën e errët të shakatës. Poezia e tij lëviz në një realitet të çrregulluar, puzzle me fragmente të çrregullta, të vështirë për t’u kuptuar ose ribërë: “Nuk kuptoj as / nëse era që më fryn mes gishtave / më shtyn përpara apo / më ndalon papritur…”. Dhe hëna, larg nga kontemplimi leopardian, bëhet hëna e natës, e frikësuar dhe e ftohur, si ajo e García Lorca: “… qan mbi çatitë lotë argjendi / mbyt natën / në një gurgullim vetmie”, një Hënë që nuk shkëlqen, shkëmb krateri i fjetur.
Marina Caracciolo

Në vitin 2022 u përpoq të rikthehej fuqia e poezisë civile, nga realistët terminalë deri te Vito Davoli së bashku me mikun e tij Marco Cinque. Nga aty nisi një lulëzim, deri në ekzagjerim, ku poezia civile rrezikon të bëhet thjesht ngushëllim për pensionistët. Ndërkohë Davoli takohet me Realizmin terminal, dhe poezia e tij ndërthuret me një vizion infernal, ku specie njerëzore, duke vdekur në luftëra jo më ushtarake por vetëm vrasëse, bëhet lëndë për një planetar plehrash.
Guido Oldani

 

NËNA

Nëna e mëkateve të mia,
madje e çdo dëshire, ku jeni?
Nëna që lindni pa pushim,
fatet e lodhura në kohë të parealizuara.

Nuk mbaj mend rrugët e zgjedhura:
vetëm shtigje për t’i hapur,
duke tërhequr barërat e egra mbi shpatet e rrugëve.

Nëna, unë jam vetëm.
Dhe a duhet të turpërohem për këtë ulërim?
Nuk arrij të ndiej vajtimin tim:
e shpërndaj si korbi
që më shumë se të tjerët beson në këngën e vet.

Nëna, jam aty i palëvizshëm,
i shndritshëm dhe i rrjedhshëm si fantazma e Münch,
i zbehtë dhe i pasaktë si djali i Schiele.

Nëna, unë jam vetëm:
një bir kundërkohës,
një himn përpara fitores,
një zë kundër heshtjes.

Nëna, ndoshta nuk jam dhe nuk do të jem
asgjë tjetër veç një kthesë intime
dhe e përmbledhur e diçkaje.

I përkas çdo historie që është shteruar,
një kalendar me tre pika në fund…

E KUQE

Shtëpitë, të kuqe, digjen të hutuar
nën këtë orë të çrregullt
që u jep gjak mureve.

Unë nuk dalloj detin e mëngjesit
nëse dielli e mban me një krah,
gati për t’u rishtruar me grim,
as qiellin melankolik mbi Jugun tim,
nëse ngadalë po e lë.

Kush e di pse poetët dashurojnë perëndimin e diellit!
Ndoshta për mua është maskimi para premierës,

pritja,
shpresa që gjakon
që shfaqja të fillojë,
ose ndoshta thjesht dita tjetër,
të jetë dita e re.

PA LIDHJE

Thashë për ty, këngë dhe pranvera,
dhe nuk u përkujdesa për kohën, ritmet dhe stinët.
U lodha nga përsëritjet e tua të zbehta,
muzgjet e nëntorit
më goditën njëkohësisht.

Për ty thashë edhe çmenduri,
tërmete dhe ekstaza,
me vetmi mbusha përkëdheljet
dhe grushtat e pakut që më mbeti.

Çava në fundet e qiellit të tu me apokalipsin
nga mbetjet rastësore të kafesë.
Vdiqa krenar për ndershmëri.
Në qiell rilinda i zbrazët
pa parashutë.

Dhe për ty fola për çdo të keqe timen.
Arrita madje të jehonte
buzëqeshjen e gjakut
të njerëzisë sime të humbur, kush e di ku.

Një pyetje fishkëlliva dhe pastaj të vrava.
Me atë thekë gdhenda të gjitha kohët,
ritmet dhe stinët,
dhe për ty fola për pranverat e shkuara,
kujtime, këngë.

OSANË

Nuk kisha menduar as për sytha e as për rreziqe,
sepse ti më huton,
joshëse lindore me sytë e hollë,
me aromat e lëkurës, të veshjeve dhe të seksit,
me gjuhët e zjarrit në gojën indiane.

Afrohem për të të vëzhguar dhe digjem.
Po, më konsumon atë që nuk e shuaj
dhe më gëlltit atë që nuk e riqep dot.

Jam i djegur dhe tani edhe gënjeshtar:
bëj sikur ikja është pothuajse dënim
dhe një torturë në këtë lodhje të pafundme.

Nuk kam urtësinë e të mençurit.
Kërkoj këtë qenësi lakmitare të gëzimeve,
dhe sikur të vëzhgoja vetëm një frymë… Osanë!

HIPOTEZË

Të kërkoj ende,
duke ndjekur hipotezën
e pranisë tënde
sa herë që vjen mbrëmja.

Më shoh nga lart
– shikim satelitor –
krimb mbi këtë gjemb të gadishullit
që vrapon në baltë mes çarjeve,
dhe i quajmë udhë.

Ti je tashmë kthyer në shtëpi
(dhe nuk të shoh),
më e shpejt se vonesa ime,
por, e di, fërkoja gishta,

thërrmoja pasurinë e krenarisë sime.

Vito Davoli (Bari, 1973) është poet, shkrimtar, eseist, kritik letrar, përkthyes dhe gazetar.
I diplomuar në Letërsi Klasike, ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me revista dhe botime prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare.
Aktualisht punon si autor, skenarist dhe artist grafik në fushën kinematografike. Ka qenë mësues në shkollat e mesme, redaktor i revistës letrare La Vallisa (një revistë letrare e jugut të Italisë) dhe kurator i serisë Inediti Rari e Diversi(drejtuar nga Dario Bellezza deri në vdekjen e tij për botuesin Pellicano, Romë). Sot është themelues dhe President i APS Verso Levante, pronare e periodikut letrar dymujor La calce & il dado, ku ai është zv.drejtor dhe anëtar i komitetit shkencor.
Ai gjithashtu ka themeluar dhe koordinon blogun dhe botimin joperiodik me të njëjtin emër Pubblicazioni Letterariæ dhe drejton serinë poetike Polveri, të cilën e ka krijuar për grupin botues Tabula Fati të Chietit.

Contraddizioni është botimi i tij i parë në Itali (edizioni Leucò, Molfetta 2001): sot ka arritur në tre botime me lexime kritike dhe tekstet e saj po përkthehen për botimin spanjoll.
Përmbledhja e tij më e fundit poetike, Carne e sangue (Tabula fati, 2022), ka arritur botimin e katërt dhe ka marrë shumë vlerësime si nga publiku ashtu edhe nga kritika. Tekstet e tij janë përkthyer dhe botuar në spanjisht, anglisht, frëngjisht, portugalisht, serbisht, arabisht dhe rumanisht.
Për poezinë e tij kanë shkruar disa nga kritikët më të rëndësishëm italianë, mes tyre: Giorgio Barberi Squarotti, Domenico Cara, Mauro Dentone, Fabio Dainotti, Dante Maffia, Guido Oldani, Daniele Giancane, Ettore Catalano, Daniele Maria Pegorari, Marco Ignazio de Santis, Giovanni De Gennaro, Angelo Lippo, Vittorino Curci, Eugenio Nastasi, Italo Interesse, Beppe Costa, Marco Cinque, Benito D’Agnano, Lorenzo Spurio, Gianni Antonio Palumbo, Mauro Macario, Marina Caracciolo, Paolo Polvani dhe të tjerë.

Ai ka përgatitur, në gjuhën kastiliane, La carne y el espíritu, një botim kritik mbi poetikën e Alfredo Pérez Alencart me ese nga mbarë bota latinoamerikane dhe ka kuruar e koordinuar antologjinë dygjuhëshe Da questa e da quella parte (De aquende y de allende), me kontribute poetike të lidhura me Takimin e XVII të Poetëve Iberoamerikanë në qytetin universitar të Salamankës në Spanjë, ku është ftuar për tre vite radhazi.
Aktualisht punon për përkthimin në italisht të La storia della schiavitù për Cambridge Stanford Books.

Angazhimi i tij qytetar shprehet në përgatitjen, së bashku me aktivistin, poetin dhe gazetarin (Il Manifesto, Le Monde Diplomatique) Marco Cinque, të tre antologjive ndërkombëtare solidarizuese: SignorNò! (kundër përdorimit të armëve, 2022), Il buio della ragione (kundër praktikës së torturës, 2024), e cila së fundmi u citua në manualin e Historisë së Letërsisë Italiane për shkollat e mesme të kuruar nga prof. Giuseppe Langella, me titull Del mondo esperti, dhe, së fundmi, antologjia Poeti da morire, kundër dënimit me vdekje, që pritet të botohet më 21 shtator.

Në botim është edhe pamfleti i tij i ri me ushtrime të Realizmit terminal me titull Tanto vale chiamarle apocalissi, me parathënie të Guido Oldani dhe pasthënie të Gianni Antonio Palumbo, për Tabula Fati.

Përgatiti dhe shqipëroj Anila Dahriu

Ketu apo atje – Jeton Kelmendi

KËTU APO ATJE

Kur kërkoj veten këtu, e gjej atje,
hije e një drite që vonon të zbardhë.
Por kur më thërrasin larg, jam këtu,
si puhiza që endet nër gjurmë të harruara.

Këtu jam kur i mungoj vetëvetës,
atje shkoj kur më tepron pak vete.
Mes dy horizonteve të pashkelura,
një fjalë mbetet peng mes buzëve.

Jam atje, ku kujtimi shndërrohet në anarki,
këtu, ku hapat e mi shkelin pa zhurmë.
Mbi pragun e një bote të pezullt,
shtrij duart drejt një mungese që s’ka fund.

Këtu, a është ky vendi im?
Atje, a është ajo largësi apo veç mall?
Në pëlhurën e kohës së pashkruar
gdhend një mendim që më ikën nga duart.

Në mes, jam asgjë dhe gjithçka,
një udhë pa kthim, një kufi pa prag.
Atje, shoh veten time duke pritur,
këtu, unë pres atë që s’kthehet më.

Nëse më gjeni dikush, më thuaj ku jam,
se jam i humbur mes këtu-ve dhe atje-ve.

Poezi sot e ka diten e vet – Jeton Kelmendi 21 mars 2025, Prishtinë

POEZIA SOT E KA DITEN E VET

Kam hyrë sot në një varg,
dhe fryma më mori, pa ndal,
nëpër vargje tjera që rrjedhin,
si lumenj të pafund të paqes.
Çdo fjalë është një hap i dytë,
e çdo fjalë që lëviz, ndalon,
ashtu si treni nëpër stacione,
poezia është udhëtimi,
dhe unë, fryma e saj që nuk ndalet.

Poezia është ajo që na duhet për këto kohë,
nuk është as ajo që e shikon bota tani.
Por ne jami fryma e fjaleve që udhëtojnë,
nga një pikë në tjetrën, si shigjeta e shpejtë,
dhe ndalojmë, por nuk ndalohemi kurrë,
sepse poezia nuk njeh as kohë,
as vend, as kufij,
ajo jeton aty ku njeriu ka ndaluar,
aty ku çdo mendim ndal lëvizjen e një stuhie të brendshme.

Poezia është sikur bota,
në të jetojnë të gjitha qeniet poetike,
ata që flasin dhe ata që heshtin,
ato që ndjehen dhe ata që shuhen,
ajo është e gjallë dhe e vdekur në të njëjtën kohë,
si një rreth i përhershëm që s’ka fund,
sepse çdo fjalë është një lindje,
dhe çdo varg është një vdekje që ndodh sërish
në çdo moment të pafund që po kalon.

Siç thoshte Azem Shkreli:
“Poet është ai që mund të lindë dhe të vdesë
për secilën fjalë dhe secilin varg.”
Por, poet është ai që merr shpirt nga çdo tingull,
nga çdo heshtje që bie si një shi mbi tokën e lënë pas,
ai që gjen paqen në përplasjen e fjalëve,
ku çdo varg është një betejë dhe një paqe tjetër.

Sot me 21 mars është dita e poezisë,
por poezia nuk ka ditë të vetme,
ajo jeton në çdo sekondë që kalon,
në çdo mendim që fluturon,
në çdo frymë që ngulitet në trupin e poetit,
dhe çdo moment kur fjala bëhet ligj i brendshëm,
i natyrës dhe i qenies që flet për gjithçka dhe asgjë.

Poet është ai që përjeton dhimbjen dhe kënaqësinë
në të njëjtën frymë, në të njëjtën fjalë,
ai që arrin të kapë çdo copëz të realitetit,
të bëjë të dukshme atë që është e padukshme,
të hedhë dritë mbi ato që janë të errëta,
për të krijuar një univers të paqes dhe luftës,
në vargje që thuhen dhe nuk thuhen kurrë.

Poezia është frymë që udhëton pa ndaluar,
ajo është udhëheqësja që na çon përtej vetes,
përtej kufijve të zakonshëm të jetës,
dhe na flet për të panjohurën, për të pamundshmen,
për atë që do të vjen dhe për atë që ka kaluar.

Sot, çdo varg është një shenjë që lë pas,
poezia është drita që ndriçon çdo ditë,
ajo është dielli dhe hëna që nuk i ndahet natës,
dhe kështu, për çdo poet,
dita e poezisë është gjithmonë,
sepse poezia, si bota, nuk ka kohë,
ajo është përherë e pranishme,
dhe njëherësh, është përjetësisht e humbur.

Sot është dita e pranverës,
dhe pranvera dhe poezia janë njësoj.
E, kështu, ne poezinë e kemi,
për të jetuar dhe për të vdekur në të,
për të krijuar dhe për t’u shuar,
për të shpëtuar dhe për t’u humbur,
sepse çdo fjalë është një jetë,
dhe çdo varg është një filiz që ndalon,
por që gjithmonë ringjallet,
për ata që mund ta shohin,
për ata që mund ta ndjejnë,
dhe për ata që e mbajnë gjallë,
si pranvera që zgjon dritën nga hija.

Poezia është, përherë, ditë e vet jetës.

Me 21 mars 2025, Prisjtinë

IWA Bogdani boton librin e ri ‘Udhëtim në kohë’ te autores Bora Balaj

Parathënie për librin “Udhëtim në kohë” të autores Bora Balaj:

Nga Jeton Kelmendi

Në këtë udhëtim poetik, Bora Balaj na çon përmes thellësive të shpirtit të saj, duke hapur dritare në botëkuptimet, emocionet dhe reflektimet e një gruaje të fortë, të përballur me sfida jetësore të papërshkrueshme. Libri “Udhëtim në kohë” sjell një mozaik poezish të mbushura me filozofi, ndjeshmëri dhe sinqeritet, ku autorja ndan me lexuesin një rrugëtim të brishtë, por të fuqishëm përmes jetës dhe kohës. Se njeriu është një qenie e cila me përkushtim dhe vendosmëri mund t’ia dal secilës sfidë, ketë na e deshmon autorja Balaj, e cila ketë ‘rrugëtim’ e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me kujdes dhe me besim se ia del suksesshëm.

Poezitë e Bora Balës janë të mbushura me një ndjeshmëri të thellë, ku temat si vetmia, dashuria, dhimbja dhe shpresa ndërthuren në vargje të pasura me metafora. Ajo përshkruan vetveten si një shpirt që sfidon dhimbjen, duke kërkuar dritën në errësirë, dhe përçon mesazhe të qarta për forcën e brendshme dhe qëndresën. Në çdo poezi, ndjehet një lidhje e fortë me natyrën, me kujtimet, me dashurinë e humbur, si dhe një reflektim i thellë mbi rolin e gruas dhe identitetin e saj në këtë botë komplekse. Poetja Balaj duket se ka një vullnet shumë të fuqishëm, saqë të mahnit, por gjithnjë duke u mbështetur në arsyen.

Lexuesi do të ndjejë dhimbjen e saj të ngulitur në çdo varg, por njëkohësisht do të vlerësojë forcën që i buron nga shpirti, e cila e udhëheq drejt një shprese të heshtur, por të palëkundur. Në këtë libër, Bora Balaj ka krijuar një hapësirë ku ndjenjat janë të lira të flasin, ku rrëfimet personale bëhen universale dhe ku çdo lexues mund të gjejë një copëz të vetes. Mbase dikush edhe mund të mendoj se shprehja e asaj që ndien një person, duhet të jetë I izoluar nga qasja e hapur, pork jo mbase shumë më e fuqishme del të hjetë kur shfaqet si qasje universal, prandaj edhe i jep guximin autores të ketë liri në shprehje dhe në përceptim të gjërave.

“Udhëtim në kohë” nuk është vetëm një  përmbledhje poezish, por një reflektim i thellë mbi vetë jetën, një udhëtim përmes kohës që na fton të ndalemi, të mendojmë dhe të ndjejmë me tërë qenien tonë.

IWA Bogdani boton librin ‘HIRI NË FYT’ te ROBERTO FARINA

PARATHËNIA

Nga Dante Maffia

Përveç motrës së tij Elisabetta dhe disa miq shumë të ngushtë, askush nuk e dinte që Roberto Farina shkroi vargje, prozë, tregime të shkurtra. Ishte një sekret që ai e kultivoi pa u shqetësuar për botimin, pa nxituar për të ndjekur, siç bëjnë pothuajse të gjithë poetë, revista letrare, etj, po ashtu si shtëpitë botuese, kritikët. Ai nuk kërkoi konsensus, i pëlqente të shkruante ndjenjat, mendimet, ankthet e tij dhe gjithçka mbaronte kështu, në heshtjen e fletëve të bardha.

Pas vdekjes ai zgjodhi ta jepte veten me natyralitetin me të cilin vepronte gjithmonë, Elisabetta mblodhi të gjitha letrat e Robertos, e vetëdijshme për sa pasuri kishin ato dhe e bindur që vëllai i saj duhej të dëgjohej. Dhe ai do ta gjejë atë përkujdesje, sepse menjëherë duket qartë, për çdo lexues, shpirti i Robertos është një poezi e lartë dhe e thellë, fryt i një hiri dhe një mallkimi që ishin masa e temperamentit të tij, polet e një mundimi që nuk vdes kurrë.

Roberto e donte botën, miqtë e tij, familjen e tij dhe tregoi se ai ishte gjithmonë i gëzuar dhe i dobishëm, me interesa të shumta, me qëndrime të qeta. Ferrin që ai mbarti brenda nuk e bëri kurrë të peshonte mbi të tjerët dhe zbriti në errësirën e kobshme dhe të ndërlikuar të shpirtit të tij pa rrëfyer kurrkënd dhe pa u ekspozuar. Me hijet llogaritë i  bëri vetë, si një plak (i moshuar) i vjetër që ka kapërcyer shkretëtira të pafundme dhe vuajtje mizore dhe ka arritur një ekuilibër përtej të cilit ka vetëm zbrazëti.

Poezitë e Roberto-s kanë diçka të tmerrshme dhe misterioze, diçka tepër fizike dhe, në të njëjtën kohë, diçka të padiskutueshme, të pakapërcyeshme. Ndonjëherë duken tehe të mprehta të një thike për të sfiduar kuptimin okult të gjërave në një duel, megjithatë ato nuk dënojnë asnjëherë, nuk gjykojnë, nuk e kanë atë mëri të Leopardit që bëhet një ujëmbledhës Manichaean (manicheismo-një fe e formuar nga Màni, teolog i lindur mbretërinë e Parti dhe jetuar në perandorinë sasanide.). Një forcë e fuqishme e dramës së fortë dramatike rrjedh pa ndërprerje dhe shfaqet një siklet që ai bën gjithçka për të zmbrapsur një sëmundje Rimbaudiane që apelon “nostalgji për të mos qenë”. Roberto bërtet, por në bërtitjet e t’ia ai paraqet tragjedi dhe butësi, pothuajse të dy fytyrat e një medalje .

Një paqartësi (të cilën ai vetë e deklaroi në një letër drejtuar një prej profesoreshave të tij) përshkon imazhe dhe metafora, mendime dhe meditime, pothuajse sikur të presë një pritë e një mrekullie, të një Zoti të mëshirshëm të aftë për të zgjidhur, të pavëmendshëm për të, çarjet dhe plagët.

Ardhja e diçkaje?

Nëse i kushtoni vëmendje, shumë aludime të poezisë së Robertos kalojnë në drejtime kontradiktore, sikur të pohojnë dhe pastaj mohojnë, ofrojnë dhe pastaj fshihen, ekzistojnë dhe mos ekzistojnë. Të jenë një trup pa trup, një shpirt pa shpirt dhe të fluturojnë, të fluturojnë deri në arritjen e afrimitetit (përsosjen) me hyjnoren.

Kohë pas kohe, ai duket se ka një kuptim për diçka profetike: ndezje (flakë) që përshkojnë qiellin për ta bërë veten një mish të gjallë të njeriut. Dhe një ankth i shtrënguar i padyshimtë nën çdo varg që edhe kur mbërrin një shigjetë e pashpjegueshme drejtë në qendër të shënjestrës, i frikësohet pasojës.

Disa nga tekstet Roberto i ka shkruar kur ishte akoma adoleshent dhe magjepsja e shkrimeve tek lexuesi lë gjurmët e tija, por edhe në këtë rast nuk është e vështirë të ndjehesh kur ekziston origjinaliteti dhe personalja, kur i ka filtrat estetikë dhe pretendon pjesën e tij. Tepër e thjeshtë për t’u mbështetur në klishe dhe për të insistuar në një lloj poetike që sillet rreth ngjarjeve njerëzore të ngjashme me atë të Robertos. Majakovskij, Jesenin, Silvia Plath …. një listë e gjatë, shumë e gjatë e poetëve dhe artistëve që kanë vendosur ta shkurtojnë fillin e ditëve të tyre. A ja vlen të merret me vlerat sociologjike dhe psikologjike?

Poezia e Robertos është flakërim i përsosur? Apo është rasti të hysh në pasurinë e këtij libri që “i ngjan hijes së një mrekullie të mundshme tashmë të shkuar, tashmë pas nesh, dhe e cila duket se përshkruan një lloj zonë neutral” ? Janë fjalë të Cucchi për Giuseppe Piccoli, një tjetër poet i shkëlqyeshëm i cili, në vitin 1987, ende i ri, vendosi të na linte. Edhe sa për Piccoli, edhe për Roberto Farina fjala ka peshën zbulese: dritë që fryhet dhe shpërndahet, e cila mbërrin thellë në zemrën e lexuesit dhe kthehet lehtë për të kompensuar marramendjen e saj semantike. Këtu dhe atje ne lexojmë referenca, për një dashuri që nuk e dimë mirë nëse dëshpërohet apo është  mizore, ose thjesht keqkuptohet, por është  e rëndësishme, e absolute!

E pakushtëzuar, gjuha rritet më shumë, digjet, projekton “tokën e të humburve”:

 

Pa mbështetur duart tuaja në mure,

ndjeni tokën

përkundja nën këmbët e mia,

do të kem frikë të ndërmarr hapin tjetër.

Unë do të jem shpikësi i dueleve:

Unë do të sfidoj forcën e shkëmbinjve

me brishtësinë time …

Është një citim nga” Heshtja dinake” që është shumë e qartë për t’u interpretuar pas ngjarjes tragjike. Por, por ka dhe kompozime të tjera që japin një sens marramendës, si” Skllav”, në të cilin portreti i Roberto Farina duket se del në raund edhe në pasojat ekzistencial:

Mallkim dhe fatal

instinktivisht rebelues

fshehur nën dëborë në dimër.

Mënyra e qetë dhe bindëse në të cilën ndriçohen simptomat e çuditshme që përjeton poeti i ri ndonjëherë është shqetësuese. Ndonjëherë ato duken se janë pasojat e një magme të pazgjidhur që i ka rrënjët në Trakl ose Stefan George, herë të tjera në ”Vdekjen Sekrete” të Dario Bellezza, dhe një shpërthim ekspresionist përkulet për t’u çorientuar më shumë, deri në atë pikë sa duket se është krijuar për të kundërshtuar rutilimin e paqëndrueshëm të botës dhe duket një parafrazë e paqëndrueshmërisë njerëzore dhe sociale:

Mendimi i përsosur e i errët që në shtizë shpon

mbretin e bardhë

pa hezituar.

i braktisur, i zhveshur

mbi qilimin e madh pa ngjyrë

edhe katundi nuk merr më frymë …

Disa faqe janë fjalë për fjalë vargje të destinuara për t’u përdorur (komponuar) për këngë. Roberto i donte disa shkrimtarë të këngëve, ai luante vetë në një grup, dhe përpjekja për t’u mbështetur në magjinë e muzikës e ka pasur gjithnjë, por edhe në këtë rast ai nuk e bëri  asgjë të të dilte në skenë. Megjithatë, disa nga këto këngë do të meritonin të gjenin një përkthyes të përshtatshëm, për të marrë mesazhin e tij, të  përndjekur  gjithnjë nga dashuria.

Hidhërimi, habi, ekzaltimi, ankthi, terrori, hidhërimi gjejnë një zë pa hipokrizi dhe hezitim. Ai e di se “Ndoshta çfarë / dëshiron është në qiellin e syve të tu” dhe se “Ata meditojnë qarqe koncentrike / Në fund të pellgut”.

Dorian, i cili është teksti i një kënge të shoqëruar me fizarmonikë, është më shumë i ngjashëm me shkrimtarin e De profundis sesa me atë të Portretit të famshëm. “Recitoni me thjeshtësi / Për të qenë vet vetja”, thuhet në mbyllje, është ftesa është nga  ato të dhimbshme, për ato që nënvizojnë, edhe një herë, vetëdijen për një natyrë, për të cilën po mbyllej në vetvete nga  kjo shoqëri e tmerrshme konsumatore me dëlirët dhe ritualet e saj absurde, kotësisë dhe dobësinë së saj. Poema e shkruar më 19 qershor të 1999 shpjegon zemërimin e Robertos i cili më pas e di se si të riorganizojë rrugën e tij dhe të kthehet i qetë, pasi dikush mund të lexojë në ”Bie shi  në shtëpinë tuaj”.

Alternimi i gjendjes shpirtërore nuk është i rrallë, por një lloj ideologjie besnikërie që udhëheq mendimet e poetit dhe udhëzon sjelljen e tij. Ku i lexojmë  tek poezitë “Rifiuto dhe Paris”.

“Në drejtim të karuselit” mësimi i poetëve të mallkuar bëhet më i dukshëm. Prania e Baudelaire dhe Rimbaud kthehet dhe duket se Roberto dëshiron të nënvizojë këtë lidhje (fjalët e tij të fundit që ai do t’i shkruaj në disa faqe të Rimbaud të grisura nga një libër) me shtylla të përtëritjes së poezisë, me këta poetë që nuk dinin dhe nuk donin të heshtnin për askënd dhe asgjë, të bindur se poezia duhet të jetë një larmi absolute, edhe nëse është e pakëndshme:

 

U thash zjarr çfarëdo sistemi pikëmbështetje

dhe prapëse më akuzoni se ende zotërojë

armën e vrasjes.

“Beteja kundër erës, Largimi i shamanit”, por mbi të gjitha “Zgjova diellin dhe Hiri në fyt”, janë tekstet që lënë gjurmë të padiskutueshme. Duket se Roberto, siç kemi thënë si për Pasolinin, përgatiti ekzekutimin e tij dhe mendoi se këtë gjest të fundit do t’i jepte një zotërim botës së brendshme. Por mbase kjo del në dritë në mbikëqyrje. Është e sigurt që poezia e tij kishte një tregti të përditshme me vdekjen. Në aq shumë vargje duket se ai e lustron zonjën e veshur me të zeza dhe e sfidoi atë që t’i jepte përsëri integritetin e sajë, bardhësinë e pastërtinë e tij:

Do të fluturoj ngadalë që askush të mos më dëgjojë

dhe do të shkoj në diell

ndërsa shtrëngoi dhëmbët.

Kush shkruan në këtë mënyrë, kush ka kthjelltësinë e së ardhmes e di që ai nuk mund të ketë jetën e tij. I përket dritës, në krijimin e përjetshëm. Kjo është arsyeja pse Roberto nuk ka vdekur, ai kurrë nuk do të vdesë: poezia është prania e Zotit në mesin tonë, një Zot na bëri mish dhe gjak, një fjalë që është ngulitur në zemër si vlerësim të të pashlyeshmes. Roberto tashmë është në këtë libër që kemi në duar, trupi i tij është ky libër, shpirti i tij në erën e këtyre rrokjeve që nuk do të mbarojnë kurrë.